Secondary Adv

Të rinjtë larg politikës, votuesit mbi 55 vjeç përcaktuan rezultatin e zgjedhjeve

Të dhënat e KQZ tregojnë se grupmosha mbi 55 vjeç dha gjysmën e votave totale në zgjedhjet e pjesshme, ndërsa të rinjtë treguan interes minimal për procesin.

Zgjedhjet e pjesshme vendore të zhvilluara në pesë bashkitë e vendit — Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë — nxorën në pah një hendek të fortë gjeneracional në pjesëmarrje. Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), personat mbi 55 vjeç përbënin 34.4% të zgjedhësve në listë, por dhanë 50% të votave totale, duke u bërë vendimtarë në përcaktimin e rezultatit përfundimtar. Grupmosha 55–64 vjeç përfaqësonte 16% të elektoratit dhe dha 22.3% të votave, ndërsa votuesit mbi 65 vjeç, që përbënin 18.4% të listës, dhanë 27.6% të votave.

 

Votuesit më aktivë në Mat dhe Tepelenë

Pjesëmarrja më e lartë e të moshuarve u regjistrua në Mat dhe Tepelenë, ku mbi gjysma e votuesve mbi 65 vjeç iu drejtuan kutive të votimit. Në të kundërt, në Vlorë vetëm 18% e kësaj grupmoshe mori pjesë në proces. Ndërsa grupmosha 45–54 vjeç kishte pjesëmarrje të qëndrueshme, me 16.7% në listën e zgjedhësve dhe 15.5% të votave të hedhura.

 

Të rinjtë, më të largët nga procesi zgjedhor

Të rinjtë e moshës 18–44 vjeç përbënin pothuajse gjysmën e listës së zgjedhësve (48.9%), por dhanë vetëm 34.6% të votave. Kjo rënie lidhet kryesisht me nivelin e lartë të emigracionit dhe mungesën e interesit për politikën. Në Vlorë, më pak se 10% e personave deri në 35 vjeç morën pjesë në votime, duke reflektuar braktisjen e procesit elektoral nga kjo shtresë. Ndërsa në Mat dhe Tepelenë, ku pjesëmarrja e përgjithshme ishte më e lartë, 20–25% e të rinjve shkuan në votime.

 

Pjesëmarrja më e ulët historike

Në këto zgjedhje morën pjesë vetëm 18.45% e 334,539 qytetarëve me të drejtë vote, një rënie e ndjeshme krahasuar me zgjedhjet vendore të vitit 2023, kur pjesëmarrja kombëtare ishte rreth 38%. Procesi u zhvillua qetë dhe pa incidente, ndërsa zgjedhjet e planifikuara në Tiranë u anuluan pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë kryebashkiakut aktual, Erion Veliaj.

Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat